Man. Siti, pesë ndeshje në Europë me anglezët, pesë humbje!

Statistikat është e qartë se nuk e shkruajnë historinë, por një ndikim e kanë. Futbollistët e Mançester Sitit e ndjejnë edhe vetë sesa ndryshe është për ta Liga e Kampionëve në krahasim me Premier Ligën, dhe kjo konfirmohet nga tradita ndaj kundërshtarëve anglezë. Disfata minimale në fushën e Totenhemit ishte e pesta radhazi, në pesë ndeshje gjithsej të luajtura ndaj ekipeve anglezë në Europë.

Historia negative nisi në sezonin 1970-1971, kur Siti u eleminua në gjysmëfinalen e Kupës së Kupave nga Çelsi, pas dy humbjeve identike, 0-1. Një vit më parë, Siti e kishte fituar Kupën e Kupave me fitoren në finale ndaj polakëve të Gornik Zabrzhes. Përballja e dytë është ajo e sezonit të kaluar, kur Liverpuli e eleminoi në çerekfinale të Championsit duke e mundur po dy herë, 3-0 në “Anfild” dhe 2-1 në “Etihad”. Tashmë, erdhi disfata 0-1 në stadiumin e ri të Totenhemit. Shpresa e tifozëve është që skuadra e tyre të gjejë moral dhe të përmbysë rezultatin në ndeshjen e dytë.

Sfidanti.al