Natyrisht, nuk bëhet fjalë që të bësh debat për debat, kjo do të ishte një punë pa vlerë. Flasim për rastet kur kapiteni ka karakterin dhe personalitetin për t’u përballur edhe me presidentin apo me trajnerin e tij, sidomos për t’i dalë për zot skuadrës. Këtë bëri Sergio Ramos pas eleminimit në Champions ndaj Ajaksit, si përgjigje e kritikave të hidhura të bosit Florentino Perez.
Presidenti kritikoi lojtarët për pushimet që bënë pas humbjes me Gironën (në La Liga), dhe Ramosi u përgjigj duke i kujtuar Perezit gabimet e tij në planifikimin sportiv. “I keni lënë të sëmurët që të vdesin”, – ishin fjalët e ashpra të kapitenit, që i kujtoi numrit 1 të klubit se nuk e kishte përfillur kërkesën e tij për të marrë verën e kaluar një sulmues të nivelit të Kristiano Ronaldos.
Natyrisht, Ramosi ka “mëkatet” e veta, dhe kritikohet disa herë për sjelljen në fushë, siç ndodhi me kartonin e sforcuar ndaj Ajaksit, apo dëmtimin e Salahut në finalen e Championsit. Gjithsesi, ai ka ditur të jetë kapiten në momente kyçe. Është përballur me Kristianon, kur ka gjykuar se ai po vepronte apo po fliste në dëm të ekipit.
I ka dalë përballë trajnerëve që krijonin konflikte me lojtarët, siç ishte rasti i Murinjos. Nuk harrohet debati në stërvitje me portugezin, kur kritikave të tij, Ramosi iu përgjigj “shef, ti nuk mund ta dish këtë sepse nuk ke qenë futbollist”. Pavarësisht të metave, Ramosi mbetet garancia më e madhe se Reali mund të ngrihet (besohet, sezonin e ardhshëm). Jo më kot, në mungesë të tij erdhi eleminimi i turpshëm nga Ajaksi në Champions.
Sfidanti.al