Kur bien perënditë në NBA; disfatë e Golden Stejt dhe Torontos

Golden Stejt dheToronto u bënë protagonistët negativë të mbrëmjes së radhës në kampionatin e NBA pasi pësuan disfata e për më tepër në shtëpinë e tyre. Në Oracle Arena, skuadra kampione në fuqi mori një leksion të mirë nga Bostoni pasi humbi 95-128 me një diferencë prej 33 pikësh, që nuk ishte parë në asnjë moment që nga momenti kur Stiv Kerr mori drejtimin e skuadrës. Bostoni në fillimin e sfidës regjistroi rezultatin e pjesshëm 11-0 që ishte një shenjë që gjërat për Golden Stejt nuk do të shkonin aspak mirë dhe në fakt ashtu ndodhi. Në pushimin e ndeshjes Celtics shkoi me avantazhin e 25 pikëve të cilin diti ta administrojë mjaft mirë deri në fundin e saj.

Ndërsa Toronto u detyrua të dorëzohej në Air Canada Center kundrejt Hjustonit me rezultatin 107-95. Skuadra teksane e bëri diferencën në këtë ndeshje në periodën e katërt falë të të zakonshmit Xhejms Harden që në 12 minutëshin e fundit shënoi 19 nga 35 pikët e tij personale. Me shifrat e regjistruara në këtë takim Harden shkoi në kuotën e 18 mijë pikëve në karrierë, ndërkohë që e coi në 39 numrin e ndeshjeve radhazi me mbi 28 pikë të shënuara.

sfidanti.al