Poçetino sfidoi Realin, krenaria e Guardiolës e ka me Çelsin

U vlerësua lart, por edhe pati çmeritje nga përgjigja e Maurisio Poçetinos për ofertën e mundshme të Realit të Madridit, vitin e kaluar. Trajneri i Totenhemit u pyet se çfarë do të bënte nëse Reali e kërkonte, pas largimit të Zidanit, dhe ai tha disa fjalë që mbeten lapidar. “Ju thoni se askush nuk mund t’i thotë “jo”, Realit, por unë nuk bëj pjesë te këta njerëz”, – tha argjentinasi, që sapo kishte rinovuar kontratën me Spërsat.

Një jehonë e fjalëve të Poçetinos janë ato të Pep Guardiolës, i pyetur se çfarë do të bënte ai nëse do të kërkohej nga presidenti i Çelsit, Roman Abramoviç. “Unë nuk e kam parë kurrë veten time si trajner të mundshëm të Çelsit, – tha tekniku i Mançester Sitit, – unë shkova tek Bajerni, dhe erdha këtu (tek Siti) bashkë me njerëzit e mi të besuar si Ferran Soriano dhe Çiki Begiristain. Klubet kanë pasur besim tek unë dhe unë kam pasur dhe kam besim te klubet”.

“Në sezonin tim të parë këtu, kur unë nuk fitova asnjë titull, nuk pashë asnjë titull në gazeta se unë mund të shkarkohesha, – vazhdoi Pepi, – u habita që Antonio Konte u vu në diskutim menjëherë pasi fitoi titullin, duke u shkruajtur se ai mund të shkarkohej pasi humbi 2 apo 3 ndeshje. Në sezonin e parë, trajnerët e kanë të vështirë, kanë nevojë për kohë dhe vetëm stabiliteti i lejon ata të punojnë”. Në të kundërt, trajneri i Çelsit, Mauricio Sarri, është në prag të shkarkimit pikërisht në sezonin e tij të parë në “Stemford Brixh”.

Sfidanti.al