Nuk dihet nëse do ta dëgjojë, por zëri është me mjaft autoritet. Flet “La Gazeta delo Sport”, “ajka” e gazetarisë sportive italiane, që i jep një këshillë ish-kapitenit të Interit, Mauro Ikardi. Mes gazetës dhe sulmuesit pati një përplasje pak kohë më parë, pasi u botua lajmi për gjobën (100 000 euro) të vënë nga Interi ndaj Ikardit për vonesën në kthimin nga pushimet.
“Na akuzove se po shkruajmë pisllëqe, – komentoi gazeta, – por, duket se nuk po kupton se çfarë po kërkon Interi prej teje. Një rritje cilësore. Nuk mjafton më, që të jesh një sulmues i madh që shënon shumë gola, diçka që ti e ke bërë vazhdimisht (ndonëse, kohët e fundit më pak), por duhet të jesh një kampion. Ky ndryshim nuk matet vetëm m golat, por me sjelljen e duhur, me profesionalizmin e skajshëm, me seriozitetin, shembullin që duhet të japësh për të tjerët, aftësinë për të udhëhequr grupin, duke ditur të kontrollosh veten dhe ata që të përfaqësojnë”.
Shkurt, për “La Gazeta delo Sportin”, Ikardit mund t’i kthehet shiriti i kapitenit kur ta meritojë, sepse ai është një simbol që e kanë mbajtur me nder dikur Piki, Macola, Faketi, Bergomi apo Zaneti, njerëz që janë dëgjuar nga shokët dhe që nuk e kanë vënë kurrë në vështirësi klubin, as direkt, as indirekt. Për momentin duket se Ikardi dhe gruaja e tij, Uanda Nara, mendojnë gjë tjetër, duan që Interi t’u kërkojë falje dhe të kthejë shiritin, ndryshe sulmuesi nuk zbret në fushë.
Sfidanti.al