Janë nga ato ndeshje që shpesh nuk di si t’i luash. Kamza u detyrua të dilte në fushë ndaj Partizanit, me një njëmbëdhjetësh me shumë mungesa kryesore, por kjo i hutoi jo pak kryeqytetasit. Të përgatitur për të përballuar një kundërshtar të plotë, të besuarit e trajnerit Gega zhgënjyen me lojë edhe pse fituan 1-0, ndërsa më shumë se gjysma e formacionit kamzali bojkotoi për shkak të rrogave.
Lojtarë si Fukui, Plaku, Malaj apo Avdyli, pa i përmendur të gjithë, nuk pranuan të dilnin në fushë në shenjë proteste, madje lajmet janë që nëse deri të mërkurën nuk nis pagesa, nuk do të paraqiten as në seancat stërvitore. Një situatë shumë e vështirë për trajnerin Ernest Gjoka, që pa e tepruar mund të thuhet se e shkatërron punën e bërë prej tij.
Gjithsesi, Kamza u përpoq edhe me shumë lojtarë të stolit si titullarë, dhe e vuri në vështirësi serioze atë që mund të quhet skuadra më e mirë e momentit në Shqipëri. Përballja e javës së 20-të u zgjidh nga një gol i vetëm, shënuar nga Jasir Asani në minutën e 55-të, dhe kryeqytetasit më shumë u përpoqën të kontrollonin ndeshjen sesa të sulmonin e të luanin bukur.
Në ndeshjen tjetër, luajtur në të njëjtën orë, Luftëtari arriti një fitore të papritur, 2-0 në Laç, ndaj një rivali që pretendon të paktën Europën. Koçonis shënoi që në minutën e 2-të, dhe Aleksi fiksoi rezultatin që në pjesën e parë. Vlen të theksohet se këtë sezon, Laçi ka fituar në Gjirokastër në fazën e parë, surpriza që kanë ndodhur edhe në duelet e Luftëtarit me Kastriotin, ku gjithnjë ka fituar skuadra mike, diçka tepër e rrallë për Superligën.
Pas 20 ndeshjeve, Partizani kryeson renditjen me 43 pikë ndaj 38 të Kukësit, ndërsa Kamza zbret në vendin e fundit.
Sfidanti.al