“Unë jam Ralf Hazenhytl, trajneri që mundi Arsenalin”!

Nëse tifozët e Sauthemptonit nuk e njihnin mirë trajnerin e ri të skuadrës së tyre, ai nuk vonoi të prezantohej. Debutim në stolin e “Shenjtorëve”, në shtëpi, me fitoren e madhe 3-2 ndaj Arsenalit të pathyer. Ky ishte trajneri i ri i Premier Ligës, Ralf Hazenhytl, austriaku i ardhur nga Gjermania. Nuk mund të kishte kartolinë më të mirë përshëndetjeje për të zotët e shtëpisë.

Sauthemptoni (shkurt Soton) triumfoi në stadiumin e tij, “Sent Meri” falë dy golave të Dani Ingsit dhe atij të Çarli Ostinit, ndërsa armeni Henrik Mkitarian barazoi dy herë për londinezët. Fitorja ishte si një “oksigjen” për një ekip që ndodhej në fundin e tabelës, ndërsa tani ka 12 pikë, vetëm 3 më pak se vendi i 15-të.

Meritën kryesore padyshim e pati trajneri Hazenhytl, duke i dhënë fund njëkohësisht serisë së Arsenalit prej 22 ndeshjesh radhazi pa humbje. Nuk mund t’i vemë shumë faj Unai Emerit, pasi “topçinjtë”kishin probleme me mbrojtjen. Shkodran Mustafi i pezulluar, Sokratis Papapostolis i pezulluar, Rob Holding i dëmtuar, Sead Kolashinac i dëmtuar. U desh që Granit Xhaka të luante qendërmbrojtës!

Hazenhytl u përzgjodh nga Sauthemptoni pasi u shkarkua Mark Hjuxhs. Ai bëri emër në Bundesligë me Lajpcigun, dhe tani shpreson ta tregojë veten në Angli.

Sfidanti.al