Ibrahimoviç zbulon se cili lojtar e ka ndihmuar më shumë!

Sulmuesi suedez Zllatan Ibrahimoviç ende nuk ka ndërmend që ta mbyllë karrierën e tij në fushat e futbollit. Sezoni për klubin LA Galaksi, me të cilin luan Ibrahimoviçi, u mbyll dhe tanimë nuk përbën më habi se futbollistë që luajnë në Amerikë, huazohen nëpër klube të Evropës, por Ibra deklaroi së fundmi se ai nuk do që të huazohet, sepse ai do transferim të plotë. Kohët e fundit, emiri i tij është lidhur me klubin italian të Milanit.
Në një bisedë të tij me gazetën franceze “L’Ekip”, Ibrahimoviçi, midis tjerave, foli për karrierën e vet dhe për lojtarët, me të cilët ai ka pasur rastin të luajë. Në fakt, ky futbollist suedez me shumë përvojë (37 vjeç) gjatë karrierës së tij të gjatë ka luajtur me një numër të madh futbollistësh yje dhe një nga ata, sikurse thotë Ibra, i ka bërë atij përshtypje të madhe.
“Patrik Viera ka qenë shumë i rëndësishëm në karrierën time. Ne kemi luajtur bashkë një sezon te Juventusi dhe ai gjithnjë më ka mbështetur si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Ai ngulte këmbë se futbollisti duhet të ketë gjithnjë një qëllim të përcaktuar. Ai më mësoi që të luajë në ndeshje i relaksuar, ashtu si në stërvitje. Ai ishte një lojtar fantastik dhe, po ashtu, edhe një njeri shumë i mirë”, vuri në dukje Ibra.
Sfidanti.al