Barçës i ka mbetur në dorë Dembeleja, ç’të bëjë me të?!

Para 12 vitesh, një lojtar i Barcelonës arriti kulmin e karrierës, dhe nisi të bjerë. i jashtëzakonshmi Ronaldinjo ishte i blatuar me talenti si shumë pak të tjerë në 100 vjet, por edhe i dobët si pak profesionistë ndaj qejfeve të jetës. Të gjithë e dimë sesi përfundoi historia e një ylli që mund të kishte rivalizuar gjatë me Mesin dhe Ronaldon, madje t’i kishte lënë në hije.

Tek Barcelona sot është një lojtar që nuk i afrohet Ronaldinjos, edhe pse talentin e ka të madh, veçse duket edhe më “i sëmurë” sesa braziliani me qejfet dhe mungesën e disiplinës, Usman Dembele. Pikërisht për këtë futbollist, drejtuesit katalanas po përpiqen të marrin një vendim.

Lajmi i fundit është që Dembele nuk u paraqit në kompleksin e klubit, 1 orë para stërvitjes siç është orari, jo vetëm kaq, por ishte e pamundur që zyrtarët të lidheshin në telefon me të, përveçse 15 minuta para fillimit të stërvitjes. Francezi u shfajësua duke thënë se ishte sëmurë, dhe se kishte raport nga mjeku. Kjo nuk është hera e parë që sulmuesi e bën këtë, ndonëse deri tani klubi e ka toleruar.

Duket se “kupa po mbushet” dhe se drejtuesit “blaugrana” do të marrin një vendi, i cili mesa duket nuk do të jetë aspak i mirë për sulmuesin 21-vjeçar. Edhe sikur të kishte ndikimin e Mesit, sjellja e tij vështirë të tolerohet, por ndoshta trajneri Valverde vepron me kujdes, që “edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet”.

Sfidanti.al