Është më e lehtë të mbërrish në majë, sesa të mbetesh aty. Sentenca e vjetër sa njeërzimi, u kujtua në Arenën superluksoze “O2” në Londër, ku numri 1 i botës në tenis, Andi Marrej, ishte në prag të një eleminimi tronditës. Njeriu që ka zbritur nga froni Novak Gjokoviçin, për pak u eleminua nga Millosh Raoniç. Britaniku shpëtoi top që do t’ia jepte ndeshjen kanadezit, dhe triumfoi “me shpirt ndër dhëmbë” me tre sete, 5-7, 7-6, 7-6. Të dy “taj brejket” ishin për infarkt, dhe përfunduan 7-5 dhe 11-9 për skocezin, i cili ishte pranë humbjes në setin e tretë.
Marrej arriti në finalen e “Finales së Turit Botëror”, një turne Masters, ndonëse ndjeu pa masë lodhjen e ndeshjes në grup ndaj japonezit Kei Nishikori. Përballja Marrej-Nishikori zgjati 3 orë e 20 minuta, dhe vetëm vendosmëria e britanikut bëri që të fitonte në kryeqytetin e atij që është ende shteti i tij, pra në Londër. Ndaj Raoniçit, u thye rekordi i turneut, pasi ndeshja zgjati 3 orë e 38 minuta. Të shohim nëse i kanë mbetur ende fuqi për në finale.