Kroacia merr zemër nga Jordania, sulmuesit gjetën ..portën e “shenjtë”

Kroacia nënkampione e botës mundi 2-1 në një ndeshje miqësore Jordaninë dhe në fund tifozët e duartrokitën ekipin përfaqësues kroat. Sidoqoftë, jo të gjithë në stadium u kënaqën, pasi përfaqësuesja kroate pësoi gol nga një ekip mjaft modest. Mbrojtësi Domagoj Vida, një nga më të dalluarit në përfaqësuesen kroate në Botërorin e fundit të Rusisë, mbas kësaj ndeshjeje, në të cilën ai mbajti për herë të parë shiritin e kapitenit dhe shënoi një nga dy golat, tha:
“Është një faktor pozitiv që ne po kthehemi te fitoret, por megjithatë ne bëmë shumë faulle në mbrojtje dhe, si pasojë e njërit prej tyre, ne pësuam gol nga një goditje e lirë. Mua nuk më vjen mirë që ne pësuam gol nga një ekip që ka gati 20 vite që në listën e FIFA-s rangohet poshtë vendit të 100-të. Po ashtu, më bëri një përshtypje jo të mirë numri i vogël i shikuesve në stadiumin e Rujevicës, pasi, në fund të fundit, po luante Kroacia nënkampione e botës dhe po luante për herë të parë para tifozëve të vet mbas kthimit nga kampionati botëror i Rusisë. Unë e kuptoj se arsyeja ishte se ne po luanim me një ekip mjaft modest, moti ishte me shi dhe ishte ftohtë, por sidoqoftë…”
Trajneri i Kroacisë, Zllatko Daliç, provoi në këtë ndeshje pesë sulmues, po asnjeri prej tyre nuk shënoi. “Sulmuesit tanë nuk shënonin dot, sepse e komplikonin lojën pa qenë nevoja, sikur donin të futeshin me gjithë top në portën kundërshtare. Sidoqoftë, rëndësi ka që ne fituam”, tha mbas ndeshjes trajneri i përfaqësueses kroate.
Sfidanti.al