Mark Markez i afrohet gjithnjë e më shumë një tjetër titulli kampion bote në MotoGP. Piloti spanjoll i Hondës fitoi garën e shtëpisë, Çmimin e Madh të Aragon në Spanjë pas një dueli shumë të bukur me Dukatin e Doviciozos. Pas 3 garave pa fitore, Markez ua bëri të qartë gjërat rivalëve në garën e zhvilluar përballë publikut të tij duke triumfuar në Motorland të Aragonit dhe duket se e ka vendosur përfundimisht diktatin e tij në kampionat
Andrea Doviciozo u përpoq që ta pengonte Markez drejt fitores së kësaj gare dhe këtë radhë nuk e kishte ndihmën e Lorenzos që u rrëzua, por dëshira për të fituar e Markez ishte shumë e madhe dhe e papërballueshme edhe për vetë Dukati, kështu që 25 vjecari e kaloi i pari vijën e finishit, ndërkohë që Doviciozo u kënaq me vendin e dytë. vendi i tretë i takoi një tjetër piloti italian, Andrea Ianones me Suzukin. Valentino Rossi dhe maverik Vinjales zhvilluan një garë krejtësisht anonime me Jamahën e tyre duke e përfunduar garën respektivisht në vendin e 8 dhe të 10. Pas kësaj gare, Mark Markez e sheh veten të shkëputet me 72 pikë nga Doviciozo i vendit të dytë në klasifikimin e përgjithshëm për pilotë në Botërorin e MotoGP
sfidanti.al