Mbajeni mend mirë këtë emër. Zherson Santos Da Silva, brazilian, ish-lojtar i Fluminenses. Ai mban një rekord aspak për t’u pasur zili tek Roma, ka luajtur shumë pak për shifrën që është paguar për ta marrë. Klubi verdhekuq shpenzoi 18.9 milionë euro, por Zherson në 12 javë të Serisë A ka luajtur vetëm 13 minuta. Llogariteni vetë sesa është mesatarja për një minutë. Asnjë lojtar në historinë e Romës, i blerë 15 milionë euro e sipër, nuk ka luajtur kaq pak sa ai.
Vetëm braziliani tjetër i dikurshëm, Emerson nuk luajti asnjë minutë në 12 ndeshje, ndonëse u ble shtrenjtë, por ai ishte i dëmtuar rëndë në atë kohë. Në Serinë A, këtë edicion, e kalon vetëm sulmuesi i Interit, Gabigol, që u mor në verë për 29 milionë euro dhe me ish-trajnerin De Bur luajti vetëm 16 minuta. Pak edhe Lapadula, 153 minuta në 12 takime, ndonëse u ble për 9 milionë euro, por të paktën ai e ka shënuar një gol.