Një braktisje e rëndësishme ka ardhur për kombëtaren shqiptare të futbollit. Shoqata më e madhe e përkrahësve të përfaqësueses, Tifozët Kuqezi, kanë deklaruar se nuk do të shkojnë më në asnjë ndeshje të Shqipërisë në stadiumet brenda vendit, ndërsa do të përpiqen të jenë të pranishëm vetëm në ndeshjet e huaja. Shkak për këtë vendim të skajshëm ishte mënyra sesi u sollën forcat e rendit në ndeshjen ndaj Izraelit.
“Ajo që ndodhi në ndeshjen Shqipëri-Izrael nuk kishte të bënte asgjë me lojën e bukur të futbollit, – shkruhet në deklaratën e botuar në rrjetet sociale nga tifogrupi, – atë ditë, tifozët shqiptarë në stadium ishin viktimë e terrorit shtetëror. Asgjë nuk mund ta përshkruajë terrorin që provun tifozët shqiptarë nga policia e shtetit shqiptar. Për këtë arsye, Tifozët Kuqezi janë të detyruar të marrin vendim për bojkotimin e të gjitha ndeshjeve të radhës brenda”.
Tifozët deklaruan se, në mungesë të tyre, shkallët e stadiumeve le t’i mbushë policia e shtetit, e pajisu me kallashnikov dhe me armë të tjera.