Endi Marej luajti, mbrëmë, ndeshjen e parë në kuadrin e Turneut final të Mjeshtrave në Londër, por, megjithatë, dueli i tij më tenistin kroat, Çiliç, nuk tërhoqi ndonjë vëmendje të madhe te tifozëve të tenisit, megjithëse, ai (Marej) ndodhet në rivalitet të fortë me Gjokoviçin për vendin e parë në listën ATP-së (Shoqata e Tenistëve Profesionistë), në fund të sezonit. Pritej që të zhvillohej një “luftë” e fortë për biletat në arenën O2 të Londrës, por, në vend të saj, organizatorët e turneut u detyruan që të ulnin çmimin e biletave.
Kështu, disa mijëra bileta të fundit, në vend që të shiteshin me 75 sterlina njëra, sikurse ishte planifikuar, u shitën vetëm me 7 (shtatë) sterlina që, edhe për kushtet e Shqipërisë, konsiderohet e lirë. Ndoshta, një nga arsyet është edhe ajo se ndeshje u luajt në një ditë pune, ndërkohë që biletat për duelet e së dielës shiten shumë më shtrenjtë, por, sidoqoftë, dihet se tifozët britanikë nuk e duan shumë tenistin skocez, Marej.