Ky arbitër gjerman, dhjetorin e kaluar, u shpall si gjyqtari më i mirë në botë gjatë ceremonisë “Globe Soccer” që u zhvillua në Dubai, ndërkohë që ai konsiderohej si nga kandidatët potencialë që të gjykonte ndeshjen finale të Kupës së Botës Rusi-2018, por…
Feliks Brih nuk do ta mbajë mend për të mirë këtë Botëror, pasi FIFA, sikurse shkruan “Bildi” gjerman, e dërgoi atë në shtëpi, ndërsa e informoi se ajo nuk kishte më nevojë për shërbimet e tij.
Ky gjyqtar në Rusi, në fakt, gjykoi vetëm një ndeshje, atë mes Zvicrës dhe Serbisë, kur vendosi që të jepte një faull në sulm kundër Aleksandar Mitroviçit, në një kohë që dy lojtarë zviceranë e rrëzuan atë në tokë si në sportin e mundjes.
Gjyqtari i lartpërmendur nuk pranoi që të konsultohej me VAR-in që e zemëroi edhe më shumë opinionin publik sportiv në Serbi, federata e futbollit e së cilës paraqiti një ankesë pranë FIFA-së.
Sfidanti.al