Një nga lajmet më të bukur të këtij fundsezoni është se Parma, mbas tri vitesh në ligat e ulta dhe shpalljes së falimentit, po kthehet atje, ku edhe ka vendin. Në raundin e fundit, ekipi, me të cilin dikur kanë luajtur Bufoni, Kanavaro, Turami, Veroni dhe Krespo, arriti, ç’është e vërteta, me vështirësi në shoqërinë elitare futbollistike të Italisë. Parma mundi 2-0 Specien, ndërkohë që Frosinone nuk arriti që ta ruajë avantazhin kundër Foxhës (2-2), duke ua lëshuar vendin e dytë “blegtorëve”!
Ngjitja e Parmës nga liga amatore në Serinë A është me të vëretë historike, sepse, për herë të parë në historinë e futbollit italian, një klub kalon të gjitha kategoritë gjatë tre sezoneve me radhë. Mbas krizës së thellë të kompanisë gjigante “Parmalat”, Parma mbeti pa “kokërr leku” andej nga mesi i vitit 2000, ndërkohë që, për shkak të rezultateve të dobët, ajo ra në Serinë B, por u kthye përsëri, megjithëse me vështirësi, në Serinë A në sezonin 2013/14 me Roberto Donadonin, madje, u kualifikua edhe për në Ligën e Evropës. Por këtij klubi nuk iu dha leje nga UEFA që të konkurroi dhe ai e filloi kampionatin me minus shtatë pikë, ndërroi pronarin dhe ra një kategori më poshtë.
Në pranverën e vitit 2015, Parma shpalli falimentin dhe klubi u nxor në shitje me çmimin fillestar prej 20 milionë eurosh, ndërkohë që borxhet bashkë me përqindjet kapnin një shumë prej shumë më tepër se 100 milionë euro. Sidoqoftë, në korrik 2015, u shfaq një subjekt i ri juridik me emrin “Parma Calcio 1913” (vii i krijimit) dhe në projektin e ri investuan shuma të mëdha parash disa biznesmenë lokalë, ndërkohë që president i klubit u caktua Nevio Skala legjendar dhe trajner u bë ish-futbollisti i Partmës Luixhi Apoloni.
Ky klub, dikur gjigant edhe në planin evropian, e nisi nga zeroja, nga Seria D që është liga amatore kryesore në Itali.
Sfidanti.al