Sipas legjendës morale të futbollit është thënë se futbolli luhet me 11 vetë, por lojtari më i rëndësishëm, ai i 12-ti, s’ është në fushë, por sipër në shkallët e stadiumit. Fjala është për tifozët, për ata që duhet të jetojnë edhe më shumë se futbollistët për atë që ndodh në fushë. Ky ka qënë morali tradicional edhe në stadiumet tona, deri sa mbërritëm në ditët e “apokalipsit”, ku stadiumet mbushen vetëm me mosbesime dhe me ..ndëshkime! Teper të dyshimtë edhe futbollistët, sa kanë arritur të frymëzojnë veten se kjo lojë ka jetë edhe kur lojtari i 12- të ka “vdekur”. Ka vite që e përjetojmë me sukses dramën e arratisjes së tifozerisë, duke u ndodhur përballë një eksperimenti të rrezikshëm historik: erdhën stadiumet e reja, tamam në kohën kur po ikin njerëzit! Askush nuk e di tamam sa miliona kanë kushtuar stadiumet e Elbasanit dhe të Shkodrës, por duhet më shumë talent të llogaritësh se sa miliona duhen për të blerë besimin e humbur frikshëm..
Këto javët e fundit të Superligës , janë një emblemë klasike hipokrizie. Të mbushura me gola kallp, ku bujaria është pa hesap, dhe drama se cili ekip do të rrezohet poshtë ka tundur gjithë llumin që ishte mbledhur në fundin e gotës së Superligës. Futbollin e kthyer kokëposhtë , ku “drama e madhe” po luhet në fundin e tabelës. Një dramë e sajuar me sforcon zyrtare, aq sa enigma se cili ekip midis Vllaznisë, Kamzës apo Teutës do të humbasë “tokën e mëkatit” është bërë hall më shumë për politikën. Futbolli paska qënë vetëm sebepi. Ai futboll që në muajin shkurt thërriste me zë koke “larg politika nga pushteti i futbollit”, në këto momente, s’ka frikë fare nga politika, madje janë futur bashkë në krevat, ku pritet të lind dallaveri i fundit..
Sfidanti.al