Milani bëri një hap tjetër mbrapa, duke i zhgënjyer tifozët e vet, pasi, në fushën e vet, nuk arriti më shumë se barazimi 1-1. Interi dhe Roma humbën gjatë kësaj jave, por humbjet e tyre nuk i shfrytëzoi ekipi i Milanit, me qëllim që të afrohej te vendi që do ta çonte atë te Championsi. Problem i krijoi Gatuzos ekipi modest i Sasuolos që mori nga “San Siroja” një pikë. Në pjesën e parë Milani, në fakt, pati vetëm një rast të mirë, përmes Frank Kesit, goditjen e të cilit e neutralizoi portieri. Pjesa e dytë filloi mirë për futbollsitët vendas, por hapësira që ata lanë, e shfrytëzuan miqtë që në min. e 75-të kaluan në avantazh me një gol të shënuar nga Plitano në portën e Donarumës nga rreth 20 metra.,
Më pas, u bë e qartë se Milani duhet të luante sipas stilit “gjithçka ose asgjë” dhe, në fund, arriti të siguronte vetëm një pikë. Në min. e 86-të, Kaliniçi arriti të shënonte gol mbas një pauze prej katër muajsh. Milani, mbas kësaj ndeshjeje, mbeti në vendin e 6-të me 52 pikë, ndërkohë që vendi i katërt është “larg” – tetë pikë.
Sfidanti.al