Njëmbëdhjetë të verdhë, tre gola, por dhe Nejmari i dëmtuar!

Çfarë mund të jetë Paris SG pa Nejmarin? Nuk mund të parashikohet lehtë, por kjo mundësi është reale pasi ylli brazilian doli me barrelë nga derbi ndaj Marsejës në “Park dë Prensis”. Ishte minuta e 80-të kur, me fitoren të siguruar me shifrat 3-0, “Ney” u shtri përtokë për të mos u ngritur më, përveçse me “shtratin portativ”.

Nuk dihet sesa mund të mungojë sulmuesi, por drejtuesit dhe tifozët parizienë kryqëzojnë gishtat që ai të kthehet përpara datës 6 mars, kur luhet ndeshja e kthimit e turit të dytë të Championsit, ndaj Realit në Paris.

Sidoqoftë, PSG ka një ekip shumë të fortë edhe pa numrin 11. Ndaj Marsejës, golat u shënuan nga Kilian Mbape, Rolando (autogol) dhe i përhershmi Edinson Kavani, që ka 24 rrjeta deri tani në Ligue 1, baraz me Harri Kejnin në Premier Ligë.

Derbi i Francës ishte i ashpër, siç edhe pritej, me 11 kartona të verdhë, nga të cilët 6 i morën parizienët. Me këtë fitore ndaj një rivali direkt dhe me barazimin e papritur të Lionit në shtëpi me Sent Etienin, PSG është tani 14 pikë përpara vendit të dytë që mbahet nga Monako.

Sfidanti.al