Grizman dhe Diego Kosta, kjo Atletiko vërtet që tremb!

Është 7 pikë larg vendit të parë, por edhe 7 pikë mbi të tretin. Atletiko ka hyrë si “sanduiç” mes Barcelonës dhe Realit, duke pasur meritën e madhe që e ka bërë interesant një kampionat spanjoll që pritej të ishte një shëtitje monotone e katalanasve. Edhe pse pakkush mund të mendojë një përmbysje të kreut, sërish formacioni i Diego Pablo Simeones tregoi sesa vlen pikërisht në një fushë tepër të vështirë.

Stadiumi i Seviljes, “Sançez Pizhuan” ishte tmerri i Mançester Junajtidit në Champions, me anglezët që shpëtuan vetëm nga portieri De Gea. E kundërt ajo që ndodhi këtë herë, me Atletikon që triumfoi 5-2, madje duke kryesuar 5-0.

Diego Kosta i ka dhënë ekipit në fushë atë karakter që ka trajneri në stol, dhe po ashtu ka ndihmuar që Antuan Grizman të ketë më shumë mbështetje dhe hapësirë. Ish-sulmuesi i Çelsit shënoi golin e parë, ndërsa objektivi i Barcelonës realizoi 3 herë. Goli tjetër erdhi nga Koke. Sarabia e Nolito realizuan dy rrjeta thuajse të kota për vendasit në minutat e fundit.

Do të kalojnë dy javë dhe Atletiko do të vizitojë “Kamp Noun”, pra do të jetë në shtëpinë e Barcelonës. Me karakterin e pathyeshëm të Simeones, skuadra “e vogël” e Madridit, logjikisht ka shpresë se mund të bëjë një mrekulli. A do të jetë dakord me këtë, “një farë” Lionel Mesi?

Sfidanti.al