Arsenali e shfrytëzoi ditën e fundit të sezonit dimëror të transferimeve që të sigurojë shërbimet e futbollistit fenomenal, Pjer Emerik Obamejang, një lojtar që presupozohet se do të kompensojë largimin e sulmuesit kilian, Aleksis Sançez. Me ardhjen e Obamejangut dhe, pak më parë, edhe të futbollistit të shkëlqyer armen, Henrik Mhitarian, nga Mançester Junajtidi, Vengeri ka arritur që të krijojë një katërshe të fortë, duke pasur parasysh se mesfushori Mesut Ozil e vazhdoi kontratën, ndërkohë që atje ndodhet edhe futbollisti mjaft i mirë francez, Lakazet.
Legjenda e futbollit anglez, Geri Nevil, thotë se kjo katërshe duket e tmerrshme, duke pasur parasysh cilësitë e katër futbollistëve të lartpërmendur, por, sidoqoftë, konsideron ai, ajo (katërshja) ka një të metë, se këta lojtarë janë kaq ofensivë, sa harrojnë të kthehen në mbrojtje. “Unë e kam parë Mhitarianin te Junajtidi, ai nuk di të luajë në mbrojtje, kurse Ozili edhe mund të luajë në mbrojtje, por vetëm, kur do vetë. Ai lë shumë hapësira mbas vetes”, vuri në dukje ish-futbollisti i njohur i Junajtidit Nevil.
Sfidanti.al