Një festë familjare për një trofe të famshëm të lojës së kriketit

Australia fitoi një nga turnetë më të vjetër të botës në sport, të quajtur “Hiri”, në anglisht “Ejshs” (Ashes). Gjuha angleze e ka në numrin shumës, një numër që në shqip nuk ka kuptim tek fjala hiri (ajo që mbetet nga djegia e diçkaje). Ky turne i përket sportit të kriketit dhe zhvillohet mes Australisë dhe Anglisë që nga viti 1882.

Ishin australianët që fituan edicionin e fundit pikërisht këto ditë, dhe e festuan si diçka familjare, sikur të ishte festa e Krishtlindjeve apo e Vitit të Ri. Në foto shikojmë Dejvid Uornerin me gruan Kandisë dhe vajzat Indi dhe Ajvi dhe me trofeun e vogël. Në foton tjetër, lojtari Usman Kauaja dhe e fejuara e tij, Rejçël Meklelan, edhe ata me trofeun, ndërsa një foto tjetër paraqet skuadrën australiane që feston trofeun e fituar në “Ejshs” ndaj Anglisë.

Trofeu quhet “urnë” (ajo enë që mban hirin) dhe për origjinën e saj thuhen histori nga më të ndryshmet dhe më legjendaret. Cilado qoftë origjina, kjo nuk i pengoi aspak australianët që të gëzonin dhe të lumturoheshin me suksesin e vështirë. Në histori janë luajtur 70 finale “Ejshs” dhe janë fituar 33 nga Australia, 32 nga Anglia dhe 5 kanë përfunduar në barazim.

Sfidanti.al