Elseid Hysaj dhe shokët e tij të Napolit nuk kishin provuar humbje deri tani në Serinë A. Ata e dinin se një ditë kjo mund të ndodhte, por nuk deshën që ta pësonin pikërisht nga rivali kryesor, Juventusi. Përballja në “San Paolo”, ajo që duhej t’i bënte “me krahë” për të shkuar drejt titullit të parë në 28 vjet, doli “mallkimi i parë”, dhe tani kampionët e Italisë janë vetëm 1 pikë larg kreut. Goditja ishte edhe më e hidhur pasi golin e vetëm të ndeshjes e shënoi një ish-idhull i publikut, Gonzalo Higuain që në minutën e 13-të.
Formacioni i trajnerit Sarri ishte lavdëruar deri më sot si i shkëlqyer, dhe i papërballueshëm në Itali. Disfatat në Champions ndaj Sitit e Shahtarit u tregua se nuk ishin rastësi, ndërsa Napoli u pa qartë se nuk e ka ende mentalitetin e atij ekipi që di të fitojë titullin. Pavarësisht se pati epërsi gjatë 95 minutave ndaj Juves, nuk ishte i qetë dhe i saktë, ndërsa sa më shumë afrohej fundi, aq më shumë binte loja napolitane.
Juventusi i Alegrit, në të kundërt, ndeshjen më të vështirë të sezonit e shfrytëzoi për të arritur fitoren më të madhe. Edhe pse kampionët nuk janë në formën e tyre më të mirë, përvoja bëri të vetën dhe potenciali i tyre mbetet i madh. Higuain, Dibala, Bufon, Kielini, Pjaniç, Kedira apo edhe Matyidi e Dagllas Kosta ishin forcë e madhe. Tashmë, Napoli vazhdon të kryesojë me 38 pikë, ndaj 37 të Juves, por Interi që ka 36 mund të dalë në krye nëse fiton ndeshjen e kësaj jave. Po ashtu, u afrua edhe Roma që mundi 3-1 Spalin, me golat e Xhekos, Strotmanit dhe Pelegrinit, dhe që ka 34 pikë, me një ndeshje më pak.
Sfidanti.al