Mallkimi i Beneventos arrin kulmin: Ishte një hap larg pikës së parë, por…

Pronari i Beneventos, para pak kohësh, e bëri për të qeshur opinionin publik sportiv italian, duke akuzuar shtrigat e qytetit se e “kanë mallkuar” klubin e tij. Por, tani, kjo deklaratë e tij mori një rëndësi të veçantë, pasi “verdhekuqtë” humbën një ndeshje, nga e cila u duk se ata do të merrnin pikën e parë në Serinë A. Por nuk qe e thënë dhe tifozët e Beneventos kanë nisur të besojnë se, me të vërtetë, mallkimi po e ndjek ekipin e tyre, duke qenë se ai pësoi humbjen e 13-të në një situatë, kur dukej e pamundur që këtij ekipi t’i ikte nga duart pika e parë.

Benevento hyri në shtesën e lojës që dha gjyqtari, me rezultatin 1-1, në ndeshjen me Sasuolon, por, megjithatë, pësoi gol në momentet e fundit dhe lojtarët e saj u detyruan përsëri që të dilnin nga fusha me kokat ulur. Golin e fitores për Sasuolon e shënoi me kokë Peluso që kërceu më shumë se të tjerët dhe e dërgoi topin në rrjetën e portës së Beneventos, ndërkohë që 60 sekonda më parë, në min. e 92-të, Berardi (Sasuolo) humbi një penallti.

Sfidanti.al