Kukësi lë pas humbjen me Skënderbeun, por a mund ta mbrojë titullin?!

Kampionët janë sërish aty. Kuksianët las pas humbjen e rëndë me Skënderbeun në shtëpi, dhe iu kthyen ritmit që kërkohet për të mbrojtur titullin. Edhe pse një ndeshje mjaft e lehtë teorikisht, në fushën e Lushnjes, sërish tri pikët ishin shumë të rëndësishme, qoftë për moralin dhe qoftë për renditjen.

Gjithsesi, nuk qe aspak e thjeshtë. Lushnja luajti për herë të parë këtë sezon në stadiumin e saj, “Roza Haxhiu”, ndaj edhe moralin e kishte të lartë, por u godit kur portieri Spaho doli me karton të kuq me të nisur pjesa e dytë. Të ndodhur në epërsi numerike, të besuarit e trajnerit Mladen Milinkoviç thyen rezistencën e vendasve dhe fituan ndeshjen 2-0.

Golat u shënuan shumë pranë njërit-tjetrit, fillimisht nga Guri në minutën e 58-të, dhe pastaj nga Alijev në të 60-ën. Kukësi ka 10 pikë pas 5 javëve, një numër pikësh ndoshta jo plotësisht i kënaqshëm, por që e lejon të vazhdojë pretendimet për të fituar sërish Superligën.

Aq pikë sa duhet ndoshta nuk ka as Flamurtari, por gjithsesi, skuadra e trajnerit Shpëtim Duro doli e kënaqur nga Shkodra. Barazimi me Vllazninë, arritur me shifrat 1-1, nuk është për t’u hedhur poshtë, dhe i lë vlonjatët në pozicionet e larta të tabelës. Kroati Tomisllav Bushiç kaloi miqtë në epërsi, ndërsa Vllaznia e trajnerit Cungu mundi të barazonte me penallti pikërisht në fund të pjesës së parë.  Goli u shënua nga Olsi Gocaj. Pas pushimit, shkodranët u përpoqën të fitonin, por nuk ia dolën.

Rezultati ndoshta më i papritur ishte ai në Gjirokastër. Kamza, ekip me pretendime, por që nuk e kishte nisur mirë kampionatin, fitoi 2-1 ndaj Luftëtarit vendas, me dy gola të shënuar nga Raçiç. Suksesi u arrit në minutën e katërt dhe të fundit shtesë.

Sfidanti.al