Rud Gulit ka qenë një lojtar i madh, ndonëse jo një trajner i tillë. Gjithsesi, kur holandezi flet është mirë që fjalët e tij të dëgjohen me kujdes, dhe këtë herë ish-ylli i Milanit dhe Çelsit kritikoi trajnerin e bluve, Antonio Konten, për sjelljen me Diego Kostën. “Konte nuk u tregua i zgjuar sa duhet me sjelljen ndaj Kostës, – u shpreh Gulit, – kriza filloi me atë që ndodhi me Kostën, dhe unë mendoj se trajneri dhe lojtari duhet ta shohin njëri-tjetrin në sy”.
Një kritikë për italianin edhe nga ish-ylli dhe ish-trajneri i Liverpulit, Graem Sunes. Skocezi e quajti “problem të madh” mënyrën sesi trajneri u soll me sulmuesin braziliano-spanjoll. “Jam dakord që Konte duhet të jetë mërzitur me planet e Kostës për të shkuar në Kinë, dhe ka menduar të ardhmen pa të, por kjo nuk mund të zgjidhej me një mesazh në celular, – shkruajti Sunes, – kjo ka ndikuar për keq edhe tek shokët e Kostës që mendojnë se nesër mund të jetë radha e tyre”.
Sfidanti.al