Superndeshja e Maqedonisë nuk përfundoi në të mirë të shqiptarëve. Shkëndija, edhe pse luajti në fushën e saj në Tetovë, nuk ia doli as ta mundte dhe as ta ndalte Vardarin e Shkupit. Ishin kampionët në fuqi që triumfuan 2-0 dhe vazhduan rrugën drejt titullit të radhës.
Stefan Spirovski në pjesën e parë dhe Boban Nikolov në të dytën konkretizuan një përballje që miqtë e fituan në mënyrë logjike. Shkëndija mbajti topin dhe sulmoi pa qartësi, ndërsa shkupjanët maqedonas ishin më të qartë dhe shënuan golat.
Mijëra tifozë dolën të mërzitur nga stadium dhe me shumë të drejtë. Nëse tetovarët do të kishin fituar, ata do të ishin ngjitur në vendin e parë të renditjes, madje duke pasur edhe një ndeshje më pak se Vardardi. Gjithsesi, sërish mund të luftohet për titull pasi diferenca është 5 pikë (25 pikë ndaj 20), dhe Shkëndija mund të afrohet në -2 nëse fiton ndeshjen e prapambetur.
Të lumtura mediat sllave maqedonase pas duelit. “Makedonski Sport” titulloi “valle e Vardarit në mes të Tetovës”.
B. Kuka