Beogradi dhe arena sportive e tij, “Kombank”, do të jenë mikpritës të turneut përfundimtar të Euroligës së basketbollit që, rëndom quhet “Katërshja finale” (Final four), të vitit 2018, njoftuan, këto ditë, autoritetet e larta të kryeqytetit të Serbisë. Ky lajm, në fakt, qarkullonte qysh para disa muajsh, por duhej që të pritej konfirmimi zyrtar i fundit, ndërkohë që të drejtën e organizimit të “Katërshes finale” të Euroligës së vitit 2017, pra, të këtij sezoni, e ka fituar Stambolli. Beogradi, në fakt, korrikun e kaluar, ishte mikpritës i turneut kualifikues të basketbollit për Lojrat Olimpike të Rio de Zhaneiros, ndërsa para 11 vitesh, në arenën e njëjtë sportive, “Kombank”, u mbajt turneu final i kampionatit evropian të basketbollit. Arena “Kombank” zotëron një kapacitet prej rreth 20 000 vendesh dhe mbushet, rregullisht, pothuajse plotësisht, në ndeshjet e Crvena Zvezdës në Euroligë.