Kimi Antonelli shpërthen ndaj Mercedesit

Kimi Antonelli nuk e ka fshehur pakënaqësinë ndaj ekipit Mercedes pas provave zyrtare në Losail të Katarit. Piloti italian, kampion i freskë bote, reagoi ashpër përmes radios së skuadrës, pasi përfundoi në vendin e dytë në sesionin e tretë kualifikues (Q3).

Në komunikimin me inxhinierin e tij të garës, Peter Bonnington, Antonelli shprehu hapur irritimin për mënyrën se si ekipi kishte organizuar daljen në pistë në tentativën për ‘pole position’.

“Duhet të flasim për këtë. Nëse ju kërkoj diçka, ju lutem, bëjeni!”, ishte mesazhi i pilotit 20-vjeçar për skuadrën.

Shkak për reagimin e tij u bë vendimi i Mercedesit për ta nxjerrë në pistë të parin, ndonëse Antonelli kishte kërkuar të ishte piloti i fundit që niste xhiron e shpejtë. Si pasojë, ai u gjend përpara shokut të skuadrës, George Russell, në një moment që nuk përputhej me strategjinë e dëshiruar prej tij.

Pas përfundimit të provave, italiani e konfirmoi pakënaqësinë edhe para kamerave, duke theksuar se kjo çështje duhet të diskutohet me ekipin.

“Duhet të rishikojmë disa gjëra me skuadrën. Në fund, dëshiroja të dilja i fundit në pistë, por më nxorën të parin. Do të duhet ta diskutojmë”, u shpreh Antonelli.

Nga ana tjetër, drejtuesi i Mercedesit, Toto Wolff, u përpoq të shpjegonte arsyet e vendimit, duke pranuar se piloti kishte të drejtë të ishte i pakënaqur.

“Kimi nuk dëshironte të dilte përpara grupit dhe na e kishte bërë të qartë këtë. Ai është i pakënaqur, por ne vepruam kështu për një arsye të fortë: nuk donim të rrezikonim që të mos arrinim të nisnim xhiron e shpejtë përpara përfundimit të kohës”, shpjegoi Wolff.

Megjithatë, austriaku pranoi se duhej gjetur një ekuilibër më i mirë mes vendimeve strategjike të ekipit dhe kërkesave të pilotit.

“Kimi ishte i qartë në atë që kërkonte. Sot mund të kishim gjetur një kompromis”, përfundoi Wolff.

Pakënaqësia e Antonellit pritet të diskutohet brenda Mercedesit, në një moment kur çdo detaj strategjik mund të bëjë diferencën në luftën për rezultatet më të mira në Formula 1.