Lara Colturi e mbylli në vendin e 10-të garën e Slalomit Gjigant në Killington, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke regjistruar kohën 2:04.68, me 1.66 sekonda diferencë nga fituesja Alice Robinson. Skiatorja shqiptare vijon të kryesojë renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, me 286 pikë, përpara garës së Slalomit që zhvillohet të dielën.
Në kushte të vështira atmosferike, me mjegull të dendur që mbuloi pothuajse të gjithë pistën “Superstar”, Robinson nga Zelanda e Re siguroi fitoren e tetë në karrierën e saj në Kupën e Botës dhe të shtatën në Slalomin Gjigant. Ajo regjistroi kohën 2:03.02, duke lënë pas dy amerikanet Mikaela Shiffrin, me 11 të qindtat diferencë, dhe Paula Moltzan, me 54 të qindtat.
Për Shiffrin, vendi i dytë shënon podiumin e parë të sezonit dhe një rikthim të rëndësishëm në Killington, në të njëjtën pistë ku dy vite më parë pësoi një aksident të rëndë gjatë Slalomit Gjigant. Gara në Killington vijon të dielën me disiplinën e Slalomit. Zbritja e parë nis në orën 16:30, ndërsa e dyta në orën 19:30.

