Tirana ka mposhtur 3-2 Skënderbeun në ndeshjen hapëse të javës së 13-të të Abissnet Superiore, duke u ngjitur në vend të 3-të, me 19 pikë të grumbulluara. Bardheblutë kanë ndalur “vrapin” e korçarëve, të cilët kishin disa javës që nuk humbisnin. Të gjithë golat u shënuan në pjesën e parë.
Sfida e luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi” u zhbllokua nga një autogol i Lagonidis në minutën e 27-të. Vetëm një minutë më pas shënoi Daci për Tiranën dhe më pas Xhixha trefishoi, duke dhënë idenë se ndeshja u mbyll. Por korçarët rihapën gjithçka që në pjesën e parë, duke realizuar dy gola shumë të bukur me Braga dhe Musa.
Skënderbeu këmbënguli në pjesën e dytë për të gjetur golin e barazimit. Pati pretendime edhe për një 11-metërsh nga korçarët, por kryesori Bastari, pas konsultimit me VAR-in, anuloi edhe goditjen e dënimit në një episod shumë të dyshimtë. Tirana ka parakaluar Skënderbeun në renditje, duke hyrë në zonën europiane.

