Çështja e Jamal Musialës ka shkaktuar polemika të mëdha te Bayerni, ndërsa kësaj radhe ka reaguar edhe kapiteni i skuadrës, Joshua Kimmich, i cili nuk i ka kursyer kritikat ndaj drejtuesve të klubit bavarez. Futbollisti gjerman po kalon një periudhë të vështirë për shkak të një çrregullimi neurologjik funksional, duke bërë që aktualisht rikuperimi i tij të jetë shumë më i rëndësishëm sesa çështjet sportive.
“Shqetësimi i klubit është i kuptueshëm, por ajo që nuk arrij të kuptoj është mënyra se si ky lajm komunikohet publikisht. Është e qartë se klubi është gjithmonë prioriteti absolut dhe më i rëndësishëm se ne lojtarët, por nuk mund të jetë kurrë më i rëndësishëm se individi”, deklaroi mesfushori. Më tej, kapiteni bavarez e cilësoi të papranueshme atë që ka ndodhur, duke theksuar se një sjellje e tillë nuk përfaqëson vlerat dhe frymën e Bayernit.
“Kjo është absolutisht e papranueshme dhe nuk pasqyron shpirtin e këtij klubi, veçanërisht në një moment të tillë. Ajo që ndodhi nuk duhet të përsëritet kurrë. E konsideroj plotësisht të pakuptueshme. Gjithçka duhet të diskutohej me dyer të mbyllura”, përfundoi Kimmich. Deklaratat e kapitenit tregojnë se situata e Musialës ka krijuar shqetësim edhe brenda dhomave të zhveshjes së kampionëve gjermanë.

