Komisioni Evropian ka hedhur një propozim të ri që synon të ndalojë pjesëmarrjen e sportistëve dhe ekipeve ruse në aktivitetet sportive që zhvillohen në territorin e Bashkimit Evropian, në rastet kur ata përfaqësojnë Rusinë dhe garojnë nën flamurin e këtij shteti. Nisma është pjesë e paketës së 22-të të sanksioneve të propozuara nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Propozimi duhet të negociohet dhe të marrë miratimin e vendeve anëtare të BE-së përpara se të hyjë në fuqi.
Vendimi vjen në një moment kur drejtuesit evropianë synojnë të pengojnë përdorimin e sportit si instrument propagande politike. Kjo nismë përbën një qëndrim të kundërt me atë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), i cili në korrikun e kaluar vendosi të lehtësojë kufizimet ndaj sportistëve rusë.

