Grealish, çfarë fiziku të transformuar

Jack Grealish duket i vendosur të lërë pas periudhën e vështirë tek Evertoni dhe të rifitojë vendin në formacionin e David Moyes. Futbollisti anglez është shfaqur duke u stërvitur intensivisht, madje pa bluzë, duke treguar edhe një herë formën e tij fizike.

31-vjeçari u la jashtë planeve të trajnerit Moyes pasi u zbulua se kishte kaluar dy net radhazi duke konsumuar alkool, fillimisht në një lokal dhe më pas në një bar karaoke. Episodi solli masa ndaj tij, ndërsa lojtari kërkoi falje publike për sjelljen e tij dhe mungesën e kontributit ndaj skuadrës.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Grealish shprehu dëshirën për t’u rikthyer sa më shpejt në fushë. “Është bukur të jem sërish me djemtë sot, pas disa ditësh të mira stërvitjeje. Dua t’u kërkoj falje tifozëve dhe të gjithëve në klub që nuk kam mundur ta ndihmoj ekipin gjatë javëve të fundit. E dua shumë të luaj për këtë klub dhe mezi pres të rikthehem përpara jush me fanellën e Evertonit. Shihemi së shpejti”, shkroi ai.

Duket se kërkimfalja nuk ka qenë thjesht një deklaratë, pasi futbollisti ka nisur punën individuale për të qenë sa më shpejt në dispozicion të trajnerit. Ai është parë duke u stërvitur nën drejtimin e trajnerit personal Chris Bowman, me ushtrime fizike, lëvizje mes konëve dhe goditje drejt portës. Paraqitja e tij e fundit me fanellën e Evertonit ishte në humbjen 2-0 ndaj Chelsea-t, më 17 tetor. Që prej asaj ndeshjeje, ai ka munguar në disa takime, përfshirë dy përballjet me Newcastle në Premier League dhe Carabao Cup, si dhe sfidat kundër Arsenalit dhe Coventry-t.