Neymar ka vendosur të reagojë personalisht ndaj spekulimeve për një lidhje të mundshme me Virginia Fonseca-n, ish-partneren e futbollistit të Real Madridit, Vinicius Junior. Sulmuesi brazilian ka mohuar kategorikisht lajmet e publikuara në mediat vendase, duke kërkuar që të mos cenohet jeta e tij private. Pasi kishte reaguar më parë edhe stafi i tij, 34-vjeçari zgjodhi të fliste vetë përmes rrjeteve sociale, duke shprehur pakënaqësinë për mënyrën se si është trajtuar kjo çështje. Neymar, i cili nuk është më pjesë e Kombëtares së Brazilit pas vendimit për t’i dhënë fund karrierës ndërkombëtare pas Botërorit, po shfrytëzon ndërprerjen e kampionatit brazilian për t’iu përkushtuar pokerit.
Futbollisti i Santos ka marrë pjesë në dy turne në Sao Paulo, ku çmimi kryesor për fituesin arrin në 260 mijë euro. Megjithatë, mes lojërave të pokerit, atij i është dashur të reagojë ndaj lajmeve që qarkulluan në shtypin brazilian. Sipas këtyre raportimeve, Neymar dhe Virginia Fonseca kishin shfaqur afërsi gjatë një eventi privat më 6 nëntor, në periudhën kur po zhvillohej Çmimi i Madh i Formula 1. Disa media pretenduan se të dy kishin shkëmbyer edhe puthje në një festë në Sao Paulo.

