Marc Bernal është një nga talentet më premtues të akademisë së Barcelonës. Mesfushori vetëm 19-vjeçar ka fituar dy tituj të La Ligës, ka debutuar me kombëtaren e Spanjës dhe tashmë ka arritur të bëjë diçka të veçantë edhe jashtë fushës së futbollit: t’u sigurojë prindërve mundësinë të dalin në pension.
Në një intervistë për emisionin “El Partidazo”, nga grumbullimi me përfaqësuesen U-21 të Spanjës, Bernal foli për një prej arritjeve që e bën më shumë krenar. Pas rinovimit të kontratës me Barcelonën, klubi i besoi talentit të ri edhe në periudhën kur ai po rikuperohej nga një dëmtim i rëndë në gju. “Një nga gjërat më të rëndësishme që kam bërë është fakti që prindërit e mi kanë dalë në pension. Kur panë se gjërat po shkonin mirë, filluan gradualisht të ulnin ritmin e punës. Për një fëmijë është një ndjesi unike”, rrëfeu mesfushori.

