Aston Villa tërhiqet nga padia ndaj Jamie Carragher

Aston Villa ka vendosur të mos ndërmarrë hapa ligjorë kundër Jamie Carragher, pasi ka pranuar ndjesën publike të ish-futbollistit të Liverpoolit. Megjithatë, klubi anglez ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë më fyerje apo komente përçmuese ndaj institucionit dhe tifozëve të tij.

Sipas raportimeve të “BirminghamLive”, vendimi për të mos e çuar çështjen në gjykatë erdhi pas tërheqjes publike të Carragher. Ky i fundit kishte kërkuar falje për deklaratat e bëra gjatë një episodi të podcastit “Stick to Football”.

Përmes një postimi në rrjetin social X, ish-mbrojtësi i Liverpoolit shkroi: “Dëshiroj t’i kërkoj falje Aston Villas, pronarëve dhe tifozëve të saj. Gjuha ime këtë javë ishte e gabuar dhe e papërshtatshme. Mund t’i siguroj tifozët e Villans se ishte thënë në formë shakaje, por e kuptoj që nuk është perceptuar kështu, ndaj kërkoj falje”.

Përplasja nisi pasi Carragher komentoi mundësinë që trajneri Unai Emery të largohej nga Aston Villa për të marrë drejtimin e Manchester United. Ai argumentoi se në hierarkinë e futbollit ekzistojnë klube më të mëdha se të tjerat dhe se Villa nuk do të kishte shumë mundësi për të penguar largimin e trajnerit apo lojtarëve të saj drejt skuadrave më të mëdha.