Juventusi i reziston sulmit të parë 60-milionësh për Aleks Sandron!

Sulmi i parë u përballua, por nuk do të jetë e lehtë për Juventusin që ta mbajë Aleks Sandron. Në një xhungël të egër si futbolli nuk ka rëndësi as emri i madh i kampiones së Italisë për të ruajtur kampionët e saj. Është Çelsi që ka ofruar gati nga 62 deri në 64 milionë euro për ta pasur brazilianin e shkëlqyer juventin. Gjithsesi, blutë e Londrës mund të këmbëngulin pasi trajneri Konte (nëse nuk shkarkohet) kërkon konkurrencë në skuadër. Vjet u shpenzuan 26 milionë euro për Markos Alonson, por vetëm spajnolli nuk mjafton. Për Aleks Sandron interesohet edhe Mançester Siti.

Italianët, ndërkaq, rrezikojnë të humbasin edhe ndonjë lojtar tjetër përveç brazilianit 26-vjeçar, pasi klube të mëdhenj nga Spanja dhe Anglia, por edhe Bajerni apo PSG, mund të mendojnë të bëjnë “pazar” në ekipin e tyre. Një ditë më parë, Dani Alvesh deklaroi se Paulo Dibala duhej të largohej nga Juvja nëse donte të arrinte maksimumin në karrierë, duke shkaktuar zemërimin e tifozëve.

Sfidanti.al