Antonelli refuzon numrin 1 në nder të legjendës

Andrea Kimi Antonelli është shumë pranë fitimit të titullit kampion bote në Formula 1, por ka bërë të ditur se, edhe nëse triumfon, nuk do të ndryshojë numrin në makinën e tij Mercedes. Piloti italian synon të mbajë numrin 12, në nder të idhullit të tij, legjendës Ayrton Senna.

“Duhet ta përfundoj punën time, por mendoj se më pas do të vazhdoj me numrin 12”, deklaroi Antonelli në një intervistë për të përditshmen zvicerane Blick.

Në moshën 20-vjeçare, piloti nga Bolonga është pranë një arritjeje historike. Nëse fiton titullin këtë sezon, ai do të bëhet një nga kampionët më të rinj në historinë e Formula 1 dhe italiani i parë që e fiton kampionatin pas Alberto Ascarit, i cili triumfoi për herë të fundit në vitin 1953.