Kylian Mbappé ishte protagonisti absolut i El Clásicos, duke i dhënë Real Madridit një fitore të rëndësishme 2-1 në transfertën ndaj Barcelonës. Me dopietën e tij, sulmuesi francez i dhuroi madrilenëve tri pikë të arta në garën për titullin kampion.
Mbappé konfirmoi edhe një herë formën e jashtëzakonshme që po kalon, duke shkuar në kuotën e 11 golave në La Liga dhe 14 golave në total këtë sezon, në 13 ndeshje të zhvilluara.
Përtej rëndësisë së tri pikëve, francezi fitoi edhe duelin në distancë me talentin e Barcelonës, Lamine Yamal, në një përballje që ngjalli vëmendje të madhe dhe që mund të ketë ndikim edhe në garën për çmimin e Topit të Artë.
Me këtë sukses, Real Madridi thellon krizën e rivalit katalanas dhe i afrohet kreut të renditjes, duke e çuar diferencën në vetëm tri pikë.

