Zyrtare, Glen Daja merr drejtimin e Elbasanit

Elbasani ka zyrtarizuar Glen Dajën si trajnerin e ri të ekipit. Lajmi është bërë i ditur nga klubi verdheblu përmes një njoftimi në rrjetet sociale. Pas eksperiencës si ndihmës trajner te Dinamo, Daja merr tashmë një përgjegjësi të re në karrierën e tij, duke u vendosur në krye të Elbasanit. Ai do të nisë menjëherë punën me skuadrën, në prag të sfidës së radhës në kampionat ndaj Teutës, që do të luhet në Durrës. Për Glen Dajën kjo është hera e parë që merr drejtimin e një ekipi në rolin e trajnerit të parë. Drejtuesit e Elbasanit kanë vendosur t’i besojnë atij vazhdimësinë e projektit sportiv, pas largimit të Ivan Gvozdenovic.