Sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappe, është përfshirë në një çështje ligjore në Francë, e cila lidhet me marrëdhëniet e tij me Mohamed Sanhadjin, ish-përgjegjësin e sigurisë së kombëtares franceze. Sipas raportimit të së përditshmes franceze L’Équipe, futbollisti është marrë në pyetje nga Policia Kombëtare në kuadër të hetimeve për këtë çështje.
Më 30 shtator, Mbappe u kritikua në Spanjë pasi udhëtoi drejt Parisit, pavarësisht se ishte i dëmtuar. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, ai u fotografua në një festë në shoqërinë e partneres së tij, Ester Exposito. Megjithatë, sipas L’Équipe, udhëtimi i tij lidhej kryesisht me çështje ligjore dhe jo vetëm me arsye personale.
Autoritetet franceze po shqyrtojnë një donacion prej 60.300 eurosh, të bërë nga Mbappe në qershor të vitit 2023. Shuma, sipas raportimit, vinte nga shpërblimet që sulmuesi kishte përfituar pas Botërorit të vitit 2022.
Hetuesit po analizojnë gjithashtu një hua prej 120 mijë eurosh, të kërkuar nga Sanhadji, i cili dyshohet se kishte pretenduar se po përballej me vështirësi financiare. Në hetim është përfshirë edhe prania e ish-përgjegjësit të sigurisë gjatë një udhëtimi familjar të Mbappes në Kamerun, në korrik të vitit 2023.
Ndërkohë, Sanhadji është marrë zyrtarisht i pandehur më 16 shtator, nën dyshimet për korrupsion, mashtrim dhe pastrim parash. Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe emra të njohur, si Franck Ribéry, Jamel Debbouze, Noël Le Graët dhe Philippe Diallo.

