Partizani, dy emra të huaj në garë për pankinën

Humbja në derbi përshpejton ndarjen me teknikun rumun, që ka kontratë njëvjeçare me opsion rinovimi. Takimi me Gazment Demin pritet të përcaktojë formulën e largimit, ndërsa Alfred Deliallisi shihet si zgjidhja e përkohshme.

Florin Bratu është në orët e fundit si trajner i Partizanit. Humbja 1-3 në derbin me Tiranën duket se ka vulosur fatin e teknikut rumun, në një fillim sezoni që ka rezultuar shumë larg pritshmërive për të kuqtë. Tashmë, në klubin kryeqytetas vëmendja është përqendruar te mënyra se si do të mbyllet bashkëpunimi dhe, mbi të gjitha, te emri që do të marrë drejtimin e skuadrës.

Bratu kishte firmosur një kontratë njëvjeçare me Partizanin, me opsionin e një viti shtesë. Megjithatë, rezultatet e dobëta dhe disfata në derbi kanë ndryshuar situatën, duke e çuar bashkëpunimin drejt fundit shumë më herët nga sa ishte parashikuar. Gjatë pasdites së sotme pritet të zhvillohet një takim mes trajnerit dhe presidentit Gazment Demi, ku palët do të diskutojnë kushtet e ndarjes. Synimi është të gjendet një formulë e pranueshme për të dyja palët, në mënyrë që largimi të realizohet me marrëveshje, pa e kthyer përfundimin e bashkëpunimit në një çështje të ndërlikuar.

Ndërsa zgjidhet çështja Bratu, Partizani ka nisur të mendojë për pasuesin. Menaxherët kanë filluar të ofrojnë emra të ndryshëm, në përpjekje për të bindur drejtuesit për profilin e trajnerit që mund të ndryshojë situatën në skuadër. Në tavolinë janë të paktën dy pista interesante: një trajner i huaj nga Spanja dhe një tjetër nga Kroacia. Bëhet fjalë për alternativa që po qarkullojnë në këtë fazë të kërkimit, ndërsa drejtuesit duhet të vlerësojnë kandidaturat dhe të përcaktojnë se cili profil përputhet më mirë me nevojat e ekipit.

Pista kroate merr një vëmendje të veçantë edhe pas raportimeve se Partizani është në negociata me një trajner nga ky vend. Megjithatë, deri në këtë moment, emrat konkretë nuk janë bërë publikë nga burimet e Top Channel dhe gara mbetet e hapur.

Për “demat”, zgjedhja e radhës është vendimtare. Klubi nuk ka luksin të humbasë kohë, pasi duhet të rikthejë qetësinë në dhomat e zhveshjes dhe të përgatisë skuadrën për sfidat e ardhshme të kampionatit.