Gerard Piqué synon karrierën si trajner

Gerard Piqué nuk ka ndërmend të qëndrojë larg futbollit tradicional. Pas karrierës së suksesshme si mbrojtës i Barcelonës dhe përfaqësueses spanjolle, ish-futbollisti ka nisur të përgatitet për një sfidë të re: të bëhet trajner dhe të drejtojë një skuadër në nivelet më të larta të futbollit.

Piqué, i cili pas tërheqjes nga futbolli profesionist u bë një nga figurat kryesore pas projektit të “Kings League”, po ndjek aktualisht një kurs trajnerësh të organizuar nga Federata e Futbollit të Andorrës. Sipas mediave spanjolle, përfshirë AS, programi pritet të përfundojë në qershor të vitit 2027.

Ish-mbrojtësi, kampion bote me Spanjën në vitin 2010 dhe fitues i shumë trofeve me Barcelonën, synon të pajiset me kualifikimet e nevojshme për të nisur një karrierë të re në pankinë. Kursi përfshin disa module që mundësojnë ushtrimin e profesionit në kampionatin e Andorrës dhe në kompeticione të tjera ku njihet licenca përkatëse.