Icardi: Unë pa skuadër? E quaj liri zgjedhjeje

Mauro Icardi ka reaguar në rrjetet sociale për situatën e tij, teksa sulmuesi argjentinas vijon të jetë pa skuadër pas përfundimit të kontratës me Galatasaray-n në muajin qershor.

Mungesa e një klubi të ri për një futbollist me profilin e Icardit ka tërhequr vëmendjen, por vetë 33-vjeçari duket se nuk e sheh këtë situatë si problem. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka reaguar ndaj komenteve për statusin e tij si lojtar i lirë. “Pa skuadër? Unë e quaj liri zgjedhjeje…”, ka shkruar Icardi, duke lënë të kuptohet se nuk po e konsideron veten të shqetësuar nga fakti që aktualisht nuk është pjesë e asnjë ekipi.

Sulmuesi argjentinas u largua nga Galatasaray pas përfundimit të kontratës në qershor, ndërsa tashmë mbetet për t’u parë se cila do të jetë aventura e tij e ardhshme. Icardi ka një karrierë të pasur në nivelet më të larta të futbollit europian, ku ka luajtur ndër të tjera për Interin dhe Paris Saint-Germain, përpara se të kalonte te Galatasaray. Tashmë, ai është në kërkim të klubit të radhës, ndërsa vetë futbollisti duket se dëshiron ta shfrytëzojë situatën për të zgjedhur me kujdes destinacionin e ardhshëm.