Është dëmtuar murali kushtuar Franko Barezit, i vendosur pikërisht përballë selisë së “Casa Milan”. Më pak se dy muaj pas ndarjes nga jeta të ish-kapitenit legjendar kuqezi, i cili ndërroi jetë më 31 korrik në moshën 66-vjeçare, piktura murale që nderonte kujtimin e tij është vandalizuar. Ngjarja është denoncuar nga këshilltari i Bashkisë së Milanos, Alesandro Giungi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku duket qartë se vepra është dëmtuar me bojë spraj në fytyrë, në numrin legjendar 6, si dhe me disa gërvishtje përgjatë strukturës. Një akt vandalizmi që ka prekur veçanërisht ndjeshmërinë e tifozëve dhe klubit, duke dëmtuar imazhin e një simboli që i kushtoi të gjithë karrierën Milanit, duke mbajtur fanellën kuqezi për 20 vite, 15 prej tyre si kapiten.

