Sherr masiv në Superkupën e Argjentinës

Finalja e Superkupës Argjentinase mes Estudiantes dhe Rosario Central u mbyll me tensione dhe një sherr masiv mes futbollistëve dhe stafit të të dyja skuadrave. Rosario Central fitoi 3-1 dhe ngriti trofeun, me Ángel Di Marían protagonist me dy gola. Megjithatë, festimet u lanë në plan të dytë nga përplasja që shpërtheu pas përfundimit të ndeshjes.

Tensionet nisën që në minutat shtesë, kur mbrojtësi i Estudiantes, Tomás Palacios, u përplas me trajnerin e Rosario Central, Jorge Almirón. Pas vërshëllimës së fundit të arbitrit Darío Herrera, situata u përshkallëzua dhe lojtarët e stafet e të dyja skuadrave u përfshinë në një përleshje në mes të fushës.

Përplasja vijoi edhe në tunelin që të çon drejt dhomave të zhveshjes, ndërsa shkak i tensioneve u bë edhe gjykimi i arbitrit Herrera, i cili u kritikua nga kampi i Estudiantes.