Bocherov: Shqipëria është skuadra më e fortë, por synojmë vendin e parë

Valery Bocherov, mesfushori i ekipit kombëtar të Bjellorusisë, ka folur për përgatitjet e skuadrës për Ligën e Kombeve dhe kundërshtarët në grup, mes tyre edhe Shqipërinë. Duke komentuar përfaqësueset që do të përballen në grup, Bocherov tha se i kanë ndjekur dhe studiuar kundërshtarët, ndërsa veçoi Shqipërinë për nivelin e lojtarëve të saj. “Sigurisht që po i ndjekim kundërshtarët tanë. Jam gjithashtu i interesuar të shoh se ku luajnë lojtarët e tyre. Ndoshta shqiptarët spikasin më shumë; ata luajnë në kampionate të mira dhe i kam parë lojtarët që aktivizohen në Itali. Megjithatë, nuk mund të them asgjë më konkrete për momentin. E di që të gjitha janë skuadra të forta”, u shpreh ai.

Sa i përket sfidës së parë ndaj Shqipërisë dhe vështirësive që Bjellorusia ka hasur në ndeshjet hapëse të eliminatoreve të fundit, Bocherov pranoi se presioni dhe përgjegjësia për rezultatin mund të kenë ndikuar. “Ndoshta do të bija dakord me ju se, ndonjëherë, ndeshja e parë nuk shkon vërtet mirë. Gjithçka ka të bëjë me presionin dhe ndjenjën e përgjegjësisë për rezultatin. Se si mund të kapërcehet kjo, është ndoshta një pyetje për stafin teknik. Mendoj se do të jemi mirë”, deklaroi mesfushori.

Bocherov theksoi gjithashtu se lojtarët e kombëtares nuk kanë nevojë për motivim të veçantë përpara ndeshjeve ndërkombëtare. “Sigurisht. Por në përgjithësi, kur bëhet fjalë për kombëtaren, nuk kemi vërtet nevojë për motivim shtesë. Nuk ka nevojë të na nxisin apo të na japin shtysë. Secili e kupton përgjegjësinë e vet dhe e di se si vendi, ashtu edhe tifozët, do të na mbështesin”, tha ai.

Në lidhje me objektivin për të luftuar për vendin e parë në grup, mesfushori i Bjellorusisë u shpreh optimist për përgatitjen e skuadrës, por shmangu premtimet. “Mendoj se ekipi është shumë i përgatitur. Po i vendosim vetes qëllimet më të larta. Natyrisht, nuk mund të premtoj se do ta marrim vendin e parë. Por do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta arritur këtë – kjo është 100 për qind. Jam i sigurt për këtë”, theksoi Bocherov.

Në fund, ai nënvizoi rëndësinë e unitetit të skuadrës dhe tha se Bjellorusia do ta përballojë turneun ndeshje pas ndeshjeje. “Të gjithë ata që dalin në fushë dhe ata që do të ndihmojnë nga stoli duhet të jenë së bashku. Patjetër që do të bëjmë gjithçka për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm. Do ta marrim ndeshje pas ndeshjeje dhe do të presim rezultatin më të mirë të mundshëm”, përfundoi mesfushori.