Finalja e Botërorit 2030, Casablanca fiton terren ndaj Madridit

Finalja e Kupës së Botës 2030 po kthehet në një çështje të rëndësishme institucionale, teksa Casablanca po fiton terren në garën për të pritur ndeshjen më të rëndësishme të turneut. Spanja, Portugalia dhe Maroku do të organizojnë së bashku Botërorin, por gara për finalen ka sjellë pasiguri të reja rreth ‘Santiago Bernabéut’. Kryebashkiaku i Madridit, José Luis Martínez-Almeida, ka pranuar se aktualisht Casablanca ka më shumë mundësi për të pritur finalen sesa kryeqyteti spanjoll. “Unë nuk jam optimist, sepse konsideroj, dhe kjo është legjitime nga ana e Marokut dhe Mbretit të Marokut, se ata e duan atë finale dhe, logjikisht, po veprojnë në nivel politik dhe institucional për ta siguruar”, deklaroi Almeida.

Në të njëjtën kohë, ai shprehu shqetësimin për mungesën e angazhimit të qeverisë spanjolle në këtë garë. “Ajo që nuk kam është asnjë provë që qeveria po lëviz në të njëjtin drejtim”, tha kryebashkiaku, duke shtuar se nëse finalja nuk zhvillohet në Madrid, “duhet të ketë pasoja”. Nga ana tjetër, Maroku nuk e ka fshehur ambicien për të organizuar finalen në Grand Stade Hassan II, në Casablanca, një stadium që aktualisht është ende në ndërtim. Presidenti i Federatës Marokene të Futbollit, Fouzi Lekjaa, ka deklaruar se synimi është që finalja të luhet pikërisht në këtë impiant. Stadiumi në Benslimane pritet të përfundojë në fund të vitit 2027 dhe do të ketë një kapacitet prej rreth 115 mijë spektatorësh, duke e bërë potencialisht një nga stadiumet më të mëdha në botë. Kështu, ‘Hassan II’ dhe ‘Santiago Bernabéu’ janë aktualisht në qendër të garës për të pritur finalen e Botërorit 2030. Vendimi përfundimtar mbetet për t’u marrë dhe gara pritet të vazhdojë në nivel politik e institucional.